Investimi në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit në bujqësi i vijnë në ndihmë fermerëve dhe mbrojtjes së prodhimit bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale momente nga puna që po kryhet për rehabilitimin e kolektorit Sovjan, në Korçë, që siguron kullimin e rreth 1200 ha tokë bujqësore.

“Ky investim përmirëson kushtet për fermerët dhe garanton rritjen e cilësisë dhe rendimentit të prodhimit”, u shpreh Denaj.

Kolektori i Sovjanit, grumbullon të gjithë ujërat e fushës së Maliqit dhe i shkarkon në lumin Devoll, duke bërë të mundur kullimin e kësaj fushe që ka potencial të lartë në prodhimin bujqësor të kësaj zone.

MBZHR parashikon rritjen e investimeve në këtë sektor të rëndësishëm të bujqësisë. Në vitin 2024 qeveria adresoi një fond mbi 2.5 miliardë lekë, ose 12% më shumë se viti 2023, në investime për sektorin e ujitjes dhe kullimit në sektorin e bujqësisë, teksa pritet buxhetim me rritje për 2025-ën./ata