Në Tiranë u mbajt për dy ditë seminari TAIEX, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, i cili u përqendrua në sfidat e manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Aktiviteti u organizua për grupin ekspertëve të institucioneve dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave të medias atashuar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar, njoftoi sot Kuvendi.

Gjatë këtij seminari u trajtuan tema kyçe dhe u prezantuan praktikat më të mira të BE-së.
Ambasadori i BE-së,  Silvio Gonzato u shpreh se mbështetja për mediat e pavarura, kontrolluesit e fakteve dhe iniciativat për edukimin mediatik duhet të vijojë, duke theksuar se është e rëndësishme të sigurohet transparencë dhe një qasje gjithëpërfshirëse. Bashkimi Evropian në Shqipëri do të mbështesë me ekspertizë teknike, me misione ekspertësh nga vendet anëtare, punimet e komisionit.

Kryetari i komisionit të posaçëm, Erion Braçe, theksoi nevojën për të forcuar kuadrin ligjor në këtë fushë, duke e konsideruar të rëndësishme përmirësimin e infrastrukturës ligjore për të adresuar sfidat e informacionit dhe sulmet kibernetike.

Braçe siguroi se ky komision do të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe informimit, të cilat janë thelbësore për një demokraci funksionale, duke u shprehur se veprimtaria e këtij komisioni do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror dhe nxitjen e debatit publik rreth angazhimit kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Ky moment është një shenjë e fortë angazhimi nga Shqipëria për transparencë dhe mbrojtjen e vlerave demokratike, duke e pozicionuar vendin tonë ndër vendet e para që ndërmarrin iniciativa për luftimin e dezinformimit dhe promovimin e një komunikimi të shëndetshëm dhe të besueshëm për qytetarët./ata