Kjo javë shënon fillimin e digjitalizimit të arkivit të Kuvendit, i cili, edhe pse do të jetë një proces i gjatë, në përfundim, pritet të ofrojë qasje edhe për publikun e gjerë në arkivin elektronik të ligjeve.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bëri të ditur sot se, gjashtë operatorë të rinj për digjitalizimin i janë bashkuar ekipit të Kuvendit dhe po trajnohen nga prof. Monica Palmirani nga Universiteti i Bolonjës, eksperte e njohur në fushën e informatikës ligjore dhe shënimit të ligjeve, në përdorimin e editorit LIME dhe në shënimin e ligjeve.

Pjesë e një trajnimi më të përparuar, sot e nesër, janë edhe 20 punonjës të shërbimeve të Kuvendit.

Faza e parë e digjitalizimit, deri në dhjetor 2024, parashikon digjitalizimin e arkivit të  ligjeve të viteve 2013-2024.

Ky është një hap i rëndësishëm përpara drejt modernizimit të sistemit ligjor në Shqipëri, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të shërbimeve për publikun, thekson Prezenca e OSBE-së.

Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Mbështetje për legjislacionin elektronik në Shqipëri”, që synon të sigurojë një sistem të integruar dhe funksional të legjislacionit elektronik për Kuvendin e Shqipërisë.

Projekti zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane./ata