Kryeministri Edi Rama në një konferencë për media me ambasadorin e BE, Silvio Gonzato, ka komentuar progresraportin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2024.
Rama u shpreh se raporti vlerësonte punën e SPAK për rezultatet dhe hetimet e thelluara ndaj rasteve të korrupsionit, përfshirë profilet e larta politike.
“Më lejoni të ndaj disa nga momentet kryesore të raportit. Së pari, drejtësia. Përtej të gjitha polemikave të brendshme, raporti bën një vlerësim të lartë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe thekson se kjo reforma ka çuar në përmirësime të ndjeshme të drejtësisë në vend. Patjetër, ka pika të caktuara që duhen adresua dhe ka ende boshllëqe që duhen mbushur. Me shumë të drejtë, vlerëson punën e SPAK vazhdimësinë e rezultateve, avancimin në ndjekjen përmes hetimeve të thelluara të rasteve të korrupsionin, përfshirë ato me profile të larta politike dhe zyrtare”.
Rama u ndal dhe te ekonomia dhe performaca fiskale.
Së dyti, raporti konfirmon vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit dhe përgatitjen e mëtejshme të Shqipëri për një ekonomi tregu funksionale në bazë të parimeve dhe kushteve që garanton BE në çdo vend anëtar të tij. Rritja ekonomike ka qenë e fortë sic thotë raporti, po ashtu mbështetja e kësaj rritje në turizëm është një fakt. Raporti vlerëson performancën fiskale të vendit, rënien e deficit dhe uljen e borxhit publik dhe thekson se sektori financiar është i qëndrueshëm”, tha kryeministri.
Rama u shpreh se raportprogresi është dokumenti më i besueshëm ndërkombëtar që merr Shqipëria, duke shtuar se bazohet në fakte e jo në sondazhe.
Kreu i qeverisë shtoi se “cilido që dëshiron të kuptojë e të mësojë se ku ndodhet Shqipëria në të gjitha fushat bën mirë ta lexojë këtë raport, një panoramë e situatës aktuale të vendit”.
“Është dokumenti më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe ne i referohemi fjali për fjali. Është i vetmi raport që bazohet në fakte dhe jo në perceptime e sondazhe. I referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standartëve të funksionimit të institucuineve dhe shteteve anëtare. Më vjen mirë që marrin raportin më pozitiv të gjithë këtyre viteve, e tillë është edhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeverita afirmoi njohjen e përparimeve të bëra nga Shqipëria. Ky raport shënjon me përpikëmëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej dhe çështjen ku duhet të përqendrohemi për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Ky proces është proces që vazhdon por cilido që dëshiron të kuptojë e të mësojë se ku ndodhet Shqipëria në të gjitha fushat bën mirë ta lexojë këtë raport, një panoramë e situatës aktuale të vendit”, tha ai.
Rama është shprehur se Bashkimi Europian është një bekim për vendin teksa theksoi se “ndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën”
“Ne jemi nxënës ambicioz në këtë proces”, iu drejtua kryeministri ambadadorit të BE-së Silvio Gonzato në konferencën për raportprogresin.
Por kreu i qeverisë theksoi se “jemi të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale, që është vula e anëtarësimit kemi shumë akoma për të bërë dhe kemi të meta e boshllëqe për të adresuar”, duke shtuar se vendi e ka kapcitetin për ta bërë falë partneritetit me Komisionin Europian./Dita