Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi deklaroi sot se “kemi nisur proces konsultimi për studentët e Mjekësisë sepse jemi përballë një rreziku që pas disa vitesh mund të mos i plotësojmë dot nevojat, që kemi për mjekë në institucionet tona shëndetësore”.

 

Në një komunikim me mediet pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Kushi tha se “shumë vende të BE-së i kanë liberalizuar procedurat për të punësuar mjekë nga vende si Shqipëria dhe vende të rajonit”.

 

Sipas saj, largimi mjekëve drejt vendeve të zhvilluara të BE-së nuk është fenomen vetëm shqiptar, por i gjithë rajonit.

 

“Ne si qeveri kemi përgjegjësinë që t’i parandalojmë këto problematika që mund të kemi pas disa vitesh, ne duhet i paraprijmë për këtë arsye kemi nisur procesin e konsultimit me studentë të mjekësisë, por konsultimet do të vazhdojnë edhe më gjerë, sepse ky është një vendim që nuk i takon vetëm studentëve të mjekësisë. Studentët paguajnë një tarifë shumë të ulët, madje pjesa më e madhe janë të përjashtuar pasi përfitojnë përjashtim nga tarifa dhe marrin bursa. Është e gjithë shoqëria që kontribuon për këta studentë, për formimin e tyre”, nënvizoi Kushi duke shtuar se kostoja për të formuar dhe diplomuar një mjek është më e lartë se në universitetet e tjera.

 

Ministrja Kushi u shpreh se “jo vetëm studentët e vitit të parë të Mjekësisë do jenë përballë kësaj alternative, por edhe për vitet e tjera. Propozimi që kemi marrë nga studentët është që të jetë i ndryshëm për vite të ndryshme. Sepse ndryshe është studenti i vitit të parë që hyn me kushte të caktuara. Por ne mendojmë se të gjithë e kanë detyrimin të japin kontribut për Shqipërinë “.

 

Ndërsa ministrja Manastirliu tha se “ne kemi ndërmarrë një proces të gjerë konsultimesh, takimesh, diskutimesh me studentët e mjekësisë, me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, rektorin dhe dekanin e Fakultetit të Mjekësisë si dhe pedagogë për të krijuar bazën më të mirë të diskutimeve dhe për të gjetur e zgjidhjet e alternativat më të mira”.

 

“Në momentin që qeveria do ketë një vendim për të prezantuar ky do të jetë vendi ,që do të njiheni me të”, iu drejtua ministrja gazetarëve.