Ushtria izraelite shkatërroi zyrën e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në kampin e refugjatëve Nur Shams në qytetin Tulkarem në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, tha një zyrtar lokal.

“Buldozerët izraelitë rrëzuan ndërtesën, përmes së cilës agjencia e OKB-së menaxhon nevojat e përditshme të banorëve”, tha për Anadolu Nehad al-Shaweeh, i cili kryeson një komitet lokal shërbimi në kamp.

“Ndërtesa u dëmtua pjesërisht gjatë bastisjeve të mëparshme izraelite dhe sot u shkatërrua plotësisht nga forcat izraelite”, shtoi ai.

Shkatërrimi erdhi tri ditë pasi Knesseti (parlamenti i Izraelit) miratoi një ligj që ndalon funksionimin e UNRWA-së, gjë që përfundimisht do të ndikonte në punën e saj në Gaza, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Ligji do të hyjë në fuqi pas 90 ditësh.

Komisionari i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, e quajti ndalimin izraelit “të paprecedentë dhe të rrezikshëm” dhe në kundërshtim me Kartën e OKB-së.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, ka dy shkolla dhe një qendër shëndetësore të drejtuar nga UNRWA-ja në kampin Nur Shams.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, më herët gjatë ditës u vranë dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, në një sulm izraelit me dron në kamp.

Tensionet kanë qenë të larta në Bregun Perëndimor për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë mbi 43.100 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.

Të paktën 766 palestinezë janë vrarë dhe rreth 6.300 janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë./aa