Ish-mjeku ruandez Eugene Rwamucyo u dënua me 27 vjet burg në Francë për rolin e tij në gjenocidin e Ruandës në 1994.
Sipas lajmeve vendase, Gjykata Penale e Parisit e shpalli Rwamucyo-n fajtor për "bashkëpunim në gjenocid dhe krime kundër njerëzimit" dhe "komplot" për të përgatitur terrenin për kryerjen e krimeve.
Gjykata e dënoi Rwamucyo-n me 27 vjet burg për rolin e tij në gjenocidin e Ruandës, në të cilin u masakruan më shumë se 800 mijë Tutsi në vitin 1994.
Avokatët e Rwamucyo-s njoftuan se vendimin do ta dërgojnë në apel.
65-vjeçari Rwamucyo, i cili mohoi akuzat ndaj tij, u arrestua në Sannois, një periferi e Parisit, në vitin 2010.
Rasti për Rwamucyo ishte i 8-ti në Francë kundër njerëzve që dyshohet se kanë luajtur një rol në gjenocidin e Ruandës.
Franca shquhet si vendi më përgjegjës për gjenocidin, pasi ishte mbështetësi më intensiv dhe i pakushtëzuar i qeverisë Hutu që kreu gjenocid në Ruandë.
- Gjenocidi në Ruandë
Grupi etnik Hutu në Ruandë, në vitin 1994, filloi një gjenocid ndaj grupit etnik Tutsi, të cilët i mbanin përgjegjës nga rrëzimi i avionit të presidentit të atëhershëm të vendit Juvenal Habyarimana. Në gjenocidin e ndodhur brenda 100 ditëve në vend, mbi 800.000 Tutsi kishin humbur jetën.
Franca është kritikuar nga opinioni publik ndërkombëtar dhe brenda vendit për shkak se gjatë kohë ishte mbështetëse e qeverisë Hutu që kishte bërë gjenocid. Franca më 23 qershor 1994 filloi operacionin "Turquoise" për të formuar një rajon të sigurt për refugjatët në pjesën jugperëndimore të vendit.
Franca ishte dënuar për arsye se në vend të parandalojë gjenocidin u kishte mundësuar kryesve të gjenocidit armë dhe municione, duke kufizuar përparimin e Frontit Patriotik Ruandez (RPF).
Ish-presidenti i Francës, François Mitterand, në një intervistë të tij për gazetën Le Figaro në vitin 1998, kishte thënë se "Në vende të tilla gjenocidi nuk është aq shumë i rëndësishëm"./aa