Ministria spanjolle e Mbrojtjes njoftoi se Izraeli dhe kompanitë izraelite nuk do të lejohen të marrin pjesë në Panairin e 4-t Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë (FEINDEF) që do të mbahet në Madrid në vitin 2025.

Amparo Valcarce, Sekretarja e Shtetit të Ministrisë spanjolle të Mbrojtjes, tha në një deklaratë tha se nuk do të ketë pjesëmarrje korporative në FEINDEF nga Izraeli apo ndonjë kompani izraelite.

"Spanja është e përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë në Palestinë dhe Liban dhe respekton të drejtën humanitare ndërkombëtare. FEINDEF nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj", theksoi ajo.

Vendimi për të përjashtuar Izraelin nga FEINDEF, panairi më i madh i mbrojtjes në Spanjë, vjen për shkak të protestës ndaj sulmeve të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze dhe Libanit, si dhe sulmi nga ushtarët izraelitë ndaj një grupi ndërkombëtar ku përfshiheshin edhe spanjollë, ndërkohë që ata ndodheshin në Bregun Perëndimor.

Më shumë se 400 kompani do të marrin pjesë në FEINDEF, i cili konsiderohet të jetë një nga 10 panairet më të rëndësishme të mbrojtjes në botë.

Panairi do të mbahet në Madrid mes datave 12-14 maj.

Në delegacionin ndërkombëtar që shkoi në Bregun Perëndimor përfshiheshin ish-kryebashkiakja e Barcelonës, Ada Colau dhe anëtari i Parlamentit Evropian, Jaume Asens. Ushtarët izraelitë sulmuan grupin që shoqëronte palestinezët që ishin në rajon për të mbledhur ullinj duke hedhur gaz lotsjellës./aa