Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi u takua në Kajro me drejtorin e CIA-s, William Burns, për të diskutuar përpjekjet e ndërmjetësimit për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës.

Presidenca e Egjiptit njoftoi se bisedimet midis dy palëve u fokusuan në mënyrat për të çuar përpara negociatat për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje të shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit.

Ata gjithashtu theksuan nevojën për hyrjen e menjëhershme të ndihmave humanitare në Gaza, në mes të përkeqësimit të kushteve në enklavë.

Përpjekjet për ndërmjetësim, të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, deri më tani kanë dështuar në arritjen e një armëpushimi në Gaza, por Washingtoni zyrtar pohon se vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, mund të çojë në një përparim në bisedime.

Hamasi, megjithatë, thotë se konflikti do të përfundojë vetëm kur Izraeli të ndalojë fushatën e tij ushtarake në enklavën e bllokuar, ku ka vrarë mbi 43.100 njerëz që nga tetori i vitit të kaluar.

Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit, mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./aa