Projektligji për organizimin dhe funksionimin e forcës rezerviste në Republikën e Shqipërisë, i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, ka si qëllim të përcaktojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e individëve dhe institucioneve të përfshira në mobilizimin dhe shërbimin ushtarak rezervist.

Ky ligj përcakton rregullat për krijimin e një strukture të organizuar dhe të trajnuar për Forcën Rezerviste, e cila do të aktivizohet në rast nevoje, duke kontribuar në ruajtjen e gatishmërisë dhe kapaciteteve mbrojtëse të vendit, si dhe në përmbushjen e detyrimeve kombëtare në kuadër të NATO-s dhe operacioneve të tjera ndërkombëtare.

Projektligji përcakton kriteret e pranimit për ushtarët rezervistë, duke përfshirë moshën dhe statusin e tyre gjyqësor. Numri i personelit të aktivizuar do të përcaktohet në Strategjinë Ushtarake dhe Planin e Zhvillimit të Forcave të Armatosura.

Shërbimi ushtarak rezervist është një veprimtari që kryhet në bazë të dëshirës dhe detyrimit për t’i shërbyer atdheut. Kohëzgjatja e shërbimit varion nga 14 deri në 45 ditë në vit, me mundësi zgjatjeje për operacione të veçanta.

Ushtarët rezervistë gëzojnë të drejta të njëjta si ushtarët aktivë dhe kanë të drejtën të ruajnë vendin e punës gjatë shërbimit. Ata gjithashtu janë të detyruar të raportojnë për çdo ndryshim të statusit të tyre.

Projektligji gjithashtu identifikon autoritetet përgjegjëse për rekrutimin dhe organizimin e shërbimit rezervist, duke përfshirë Ministrin e Mbrojtjes dhe komandat përkatëse të forcave.

Ky projektligj synon të sigurojë një strukturë të fortë për mobilizimin e forcave rezerviste, duke kontribuar në forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë./ata