Policia e Fierit njoftoi sot se dy shtetas janë proceduar penalisht pasi hodhën lëndë piroteknike në stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnjë, gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipeve “Tirana” dhe “Vllaznia,” të zhvilluar dje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore, referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasit A. M., 19 vjeç dhe K. Ll., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Si pasojë e hedhjes së lëndës piroteknike, një futbollist i ekipit të Vllaznisë mbeti i dëmtuar lehtë. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, në lidhje me veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike.”/ata