Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “OPINION” Blendi Fevziu ka folur për zgjedhjet e 14 majit, teksa na ndajnë rreth 35 ditë nga nisja e tyre.

 

Në një intervistë për “A2 CNN” ai komentuar pragfushatën e 14 majit, mënyrën se si kandidatët kanë zgjedhur të zbresin këtë herë në terren dhe komunikimin me publikun, qoftë atë tradicional, qoftë atë përmes platformave të reja.

 

Fevziu thotë edhe se çfarë do t’i bënte mirë fushatës elektorale, duke nisur nga një debat e përballje mes kandidatëve, për të cilën prej vitesh nuk flitet më.

 

“Çdo garë ka emocionet e veta, por këto zgjedhje janë pak më të ftohta. Duket sikur gara nuk është ndezur tamam”, tha Fevziu.

 

Sipas tij, janë dy modele të ndryshme fushate:

 

“Modeli i atij që është në pushtet, që janë promovimet apo inaugurimet. Është avantazhi i pushtetit që gjithmonë ka diçka për të promovuar në ditët e fundit para fushatës. Ndërkohë, problemi kryesor i opozitës është fokusimi. Nuk e kam shumë të qartë se cila do të jetë strategjia e tyre”.

 

Fevziu tregoi edhe frikën që ka në prag të këtyre zgjedhjeve: “Nuk e shoh të vështirë garën, por kam frikë që situata degradon pas garës”.