Në superstradën Tiranë-Durrës ka nisur puna për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë superstradën, në përfundim të punimeve, me nga katër korsi në secilin drejtim.

Puna për zgjerimin e autostradës ka nisur në dy lotet e para, kthesa e Kamzës-Vorë dhe Vorë-Sukth.

Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar edhe financimet për këto dy lote në një vlerë prej mbi 1 miliard lekësh. Për lotin e tretë financimi nis në vitin 2026, ndërsa për lotet 4 dhe 5 në vitin 2027.

Për ndërtimin e lotit të parë, nga kthesa Kamzës deri në Vorë, parashikohet për vitin 2025 një fond prej 496 milionë lekësh, ndërsa për ndërtimin e lotit të dytë do të financohen 536 milionë lekë. Financimi i këtyre dy loteve do të vijojë edhe në vitet 2026 dhe 2027.

Punimet për superstradën Tiranë-Durrës janë ndarë në 5 lote, dhe kostoja totale në buxhet llogaritet 10 miliardë lekë.

Superstrada Tiranë – Durrës (e njohur në vend që prej viteve ’90 si “Autostrada”) që fillon nga mbikalimi i Kamzës deri tek Ura e Dajlanit në Durrës, është një nga arteriet kryesore dhe më të rëndësishme të vendit. Kjo superstradë lidh dy qendrat më të mëdha administrative, industriale, kulturore dhe turistike të Shqipërisë, si dhe korridoret Veri-Jug dhe atë Lindje-Perëndim.

Gjithashtu, një pjesë e kësaj rruge, segmenti Vorë – Durrës, është arteria kryesore e korridorit Durrës – Kukës – Morinë, i cili në rrjetin europian të rrugëve emërohet E851. Korridori Veri-Jug lidhet me superstradën në qytetin e Vorës nëpërmjet segmentit E762.

Ndërsa korridori Lindje – Perëndim fillon në Qafë-Thanë dhe vazhdon më pas në qytetet Librazhd, Elbasan, Tiranë (E852) dhe përfundon në qytetin e Durrësit.

Prej vitesh në këtë segment rrugor ka pasur dëmtime të shtresave rrugore, çarje, ulje e gropëzime në gjatësi të konsiderueshme në të dy anët e rrugës, dhe veçanërisht në korsitë anësore (sidomos atë Vorë – Durrës)./ata