Bizneset shqiptare dhe ato greke u takuan në Tiranë për të diskutuar zgjerimin e rrugëve të bashkëpunimit.
Në Forumin e biznesit Shqipëri-Greqi, ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe zv/ministri i Jashtëm i Greqisë, Kostas Fragogiannis.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Greqinë për të fuqizuar lidhjet ekonomike dhe për të krijuar mundësi të reja për investime, tregti, biznes dhe zhvillim të përbashkët në rajon.
“Vendi ynë është në një stad shumë të mirë ekonomik, çka dëshmohet nga Raporti i Progresit të KE-së për vitin 2024, por dhe çelja e negociatave me BE-në, si edhe nga përmirësimi i vlerësimit nga Moodys, ndaj zgjerimi i urave lidhëse dhe sinergjia midis dy vendeve tona është prioritet kyç për të mirën e popujve tanë, mirëqenies direkte dhe zhvillimit ekonomik”, tha ai.
Edhe zëvendësministri i Jashtëm grek, Fragogiannis drejtoi të njëjtën ftesë për investitorët grekë për rritje të pranisë në tregun shqiptar.
“Shpreh dëshirën që takimi i sotëm i biznesit të hapë rrugë të reja komunikimi dhe bashkëpunimi. Ju ftoj si biznesmenë dhe investitorë të merrni pjesë aktivisht në rrugën e rimëkëmbjes dhe transformimit të Shqipërisë, Greqisë dhe Ballkanit në përgjithësi. E ardhmja është para nesh. Mund të ecim së bashku drejt saj”, tha ai.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka kërkoi krijimin e kontratave të përbashkëta, duke theksuar se sipërmarrja shqiptare është një partner serioz.
“U bëj thirrje sipërmarrjeve greke që ta shohin sipërmarrjen shqiptare si një partner të suksesshëm, serioz dhe të qëndrueshëm dhe të krijojnë kontrata të përbashkëta bashkëpunimi”, deklaroi kreu i DHTI-së, Jaka.
Presidentja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, Sofia Kounenaki renditi disa nga sektorët e ekonomisë shqiptare ku prania e biznesit grek është e lartë.
“Shqipëria ka potenciale në sektorë si ushqimi dhe pijet, ndërtimi, turizmi, fusha në të cilat bizneset greke kanë eksperiencë të lartë. Mundësi të jashtëzakonshme ekzistojnë gjithashtu në sektorë si farmaceutika, materialet e ndërtimit dhe energjia. Një fushë me rëndësi janë start-up-et dhe inovacioni”, tha ajo.
Greqia renditet ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë në drejtim të investimeve të huaja direkte dhe tregtisë së jashtme. Shkëmbimet tregtare me Greqinë llogariten 68.6 miliardë lekë gjatë 10 muajve të këtij viti. Ndërsa stoku i investimeve greke në fund të gjysmës së parë të vitit llogaritet 245 milionë euro./ata