Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë televizive, se pensionet janë pjesa më e vështirë politike, ekonomike dhe financiare e çdo qeverie,
“Japim 500 milionë euro në vit për pensionet. Nuk mund të merren nga taksat dhe të çohen te pensionet se vdes shoqëria financiarisht”, theksoi ai.
“Ajo që unë po ju them është se së pari, për shkak të rritjes ekonomike të gjithë të tjerët kanë përfituar se janë rritur pagat, në çdo pagë që rritet merret më shumë për fondin e sigurimeve për fondin e pensioneve”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se pensionet nuk janë rroga, pensionet financohen nga kontributet dhe sigurimet shoqërore. Rama tha se qeveria ka punuar për të rritur numrin e kontribuesve.
“Secili që punon duhet të kontribuojë. Nuk paguan pensione më të larta nëse nuk rrit numrin e kontribuuesve, nëse nuk merr nga pagat. 300 mijë më shumë kemi futur në skemë që kontribuojnë për pensionet. Kjo është rritje e të ardhurave të kontributeve”, tha Rama.
“Pra, nuk është e vërtetë që ne u kujtuam sot për formalizimin, janë rritur pagat reale, por nuk janë rritur aq shumë deklarimet, me këtë rritje kemi garantuar për pensionistët që të ketë rritje të pensioneve. Ndërkohë që kemi rritur të ardhurat e kontributeve, është rritur numri i pensionistëve”, vijoi Kryeministri.
“Këtu nuk ka shkop magjik, është një proces që po nuk e kuptove nuk di se si përfundon, dhe përfundon më keq se Sudja. Skema e pensioneve është një skemë që funksionon për breza, ne e kemi gjetur skemën gropë dhe pensioni maksimal ishte 240 mijë lekë të vjetra”, u shpreh Rama./ata