Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se po përgatitet plani i rritjes graduale të përvitshme të pensioneve, ndërsa konfirmoi se në fund të vitit do të rritet bonusi për pensionistët.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se kjo masë vjen tani pasi është rritur ekonomia.
“Nga rritja ekonomike kanë përfituar të gjithë të tjerët. Janë rritur pagat gjë që do të thotë se merren më shumë kontribute për pensionet. Duke qenë se ne jemi sot ekonomikisht shumë më të fortë se sa ishim, do të rishikojmë bonusin e fundvitit”, tha Rama.
Ndërkohë, sipas tij, po bëhet edhe plani i rritjes graduale të pensioneve.
“Nuk do jetë një rritje që do hapet thesi dhe do bëhet pensioni minimal 400 euro, nuk ekziston kjo se bie shteti. Do bëjmë një rritje graduale të përvitshme të pensioneve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se vetëm për bonusin e fundvitit qeveria akordon aktualisht 350 milionë euro.
“Rritja e pensioneve nuk ka qenë asnjëherë në programin tonë deri më sot, sepse nuk ka pasur mundësi. Janë bërë rritje plot, bonuse, pensione sociale etj, por rritja e përgjithshme nuk ka qenë e mundur. Sot që është hapur drita sepse është zhvilluar ekonomia, ndaj te kjo rritje do të përfshihet edhe kategoria e pensionistëve që do të marrin një rritje graduale të pensionit”, tha Rama./ata