Po mbahet në Prishtinë edicioni i katërt i Forumit të Sektorit të Ushqimit.
Organizuar nga shoqata e Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), në këtë forum mori pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, biznesmenë të huaj dhe prodhues vendor.
Hartim Gashi, drejtues i PePeKo-s, tha se forumi ka për qëllim lidhjen e bizneseve vendore me ato ndërkombëtare.
"Kemi një numër të madh të pjesëmarrësve, mbi 40 kompani të cilat kanë ardhur nga Evropa dhe nga rrjetet e shitësve në vend, gjithashtu kemi mbi 80 kompani prodhuese vendore të cilat kanë ekspozuar produktet e tyre me qëllim që të ndërlidhen me blerësit potencial të produkteve të tyre", theksoi Gashi.
Gashi tha se sektori i përpunimit të pemëve dhe perimeve në Kosovë përballet me sfida dhe potencial zhvillimi, megjithëkëtë, ai thotë se ka rritje të eksportit në tre vitet e fundit. Sipas tij, vlera e eksporteve nga kompanitë vendore në tregjet ndërkombëtare është mbi 10 milionë.
- Eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore është rritur për 93,54 për qind
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se intervenimi në veprimet dhe hartimin e politikave, strategjisë dhe legjislacion ka ndryshuar tërësisht sektorin e pemëve dhe perimeve.
Ai tha se me këto intervenime është arritur ndryshim i trendit në aspektin e prodhimit, por edhe në realizimin e eksporteve.
"Sipas të dhënave të publikuara nga Dogana e Kosovës, eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore për tre vitet e shkuara 2021-2023, krahasuar me vitin 2020 është rritur për 93,54 për qind në vlerën e mallrave të eksportuara", theksoi Peci.
Pas fjalëve të organizatorëve, në kuadër të këtij forumi, po shfaqen produkte ushqimore të ndryshme të prodhuara në vend, ndërsa krah tyre janë bërë gati tavolina në të cilat do të kenë mundësi të lidhen përfaqësues të bizneseve me prodhuesit./aa