Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se është arritur përparim në bisedimet e armëpushimit të zhvilluar mes Libanit dhe Izraelit në bazë të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Duke folur në konferencën për media, Blinken tha se po kryejnë "punë intensive" për zbatimin e rezolutës 1701 të KS-OKB-së.

Ai tha se është bërë "përparim i mirë" për të arritur armëpushim midis Izraelit dhe Libanit bazuar në këtë vendim të KS-OKB-së. "Ne kemi ende shumë punë për të bërë, por kjo është ajo që nevojitet për të arritur zgjidhje diplomatike, përfshirë edhe armëpushimin", theksoi Blinken.

Sekretari amerikan shtoi se situata humanitare në Gaza është përmirësuar, por kjo nuk është e mjaftueshme dhe se kryerja e shpërndarjes në mënyrë efektive është e rëndësishme po aq sa hyrja e kamionëve të ndihmave në rajon.

 

- WSJ: Në draft-marrëveshjen e paraqitur nga SHBA, i sugjerohet Izraelit të vazhdojë sulmet ndaj Libanit për 2 muaj të tjerë

Gazeta "Wall Street Journal" (WSJ) raporton se një delegacion amerikan po zhvillon bisedime me zyrtarët izraelitë mbi "draft marrëveshjen" që ata përgatitën për të ndaluar konfliktin midis Izraelit dhe Libanit.

Në lajmin ku thuhet se draft-marrëveshja është parë nga WSJ, pretendohet se Izraelit iu sugjerua të vazhdonte sulmet e tij në Liban edhe për 60 ditë të tjera në mënyrë që të "eliminonte kërcënimet kundër vetvetes".

Teksti i draft-marrëveshjes përfshin gjithashtu çështjet e largimit të ushtarëve izraelitë nga territori libanez brenda një jave dhe përfshirjen e ushtrisë libaneze për të "pastruar Hezbollahun dhe grupet e tjera të armatosura" në bazë të Rezolutës 1701 të KS-OKB-së.

Në lajmin e WSJ thuhet se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu "nuk i është afruar asnjë marrëveshjeje përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA", dhe pretendohet se Libani dhe Hezbollahu janë kundër propozimit të SHBA-së me arsyetimin se "Izraelit i është dhënë shumë liri për të vazhduar sulmet dhe se është shpërfillur sovraniteti i Libanit"./aa