Kryeministri i Libanit, Najib Mikati tha se deklaratat e Izraelit dhe treguesit diplomatik të marra nga Bejruti konfirmojnë kokëfortësinë dhe refuzimin e Tel Avivit për të pranuar zgjidhjet e propozuara.

Mikati i bëri këto komente gjatë një takimi me kreun e Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL, Arnaldo Lazaro, të mbajtur në Bejrut.

Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrit libanez, Mikati theksoi se "përshkallëzimi i fundit nga Izraeli është tregues i qartë për refuzimin e të gjitha përpjekjeve që synojnë arritjen e një armëpushimi dhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së".

Takimi u zhvillua mes sugjerimeve të SHBA-së për një atmosferë potencialisht pozitive që çon në një marrëveshje për t'i dhënë fund armiqësive në Liban. Megjithatë, Mikati tha se përpjekjet e ngjashme diplomatike në lidhje me situatën në Gaza nuk kanë dhënë rezultate ndërsa "mizoritë izraelite janë intensifikuar në të dy frontet".

Muajin e kaluar, Izraeli nisi fushatë masive ajrore në Liban kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, në një përshkallëzim nga një vit i plotë i luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit libanez që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Gaza.

Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, gati 2.900 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 13 mijë janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.

Më 1 tetor, Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një inkursion në jug të Libanit./aa