Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për ndarjen e Hekurudhës Shqiptare, Sh.a.”, parashikon rimëkëmbje të situatës financiare-ekonomike si dhe përmirësim të infrastrukturës dhe mjeteve hekurudhore. Por, cilët janë objektivat dhe efektet e synuara nga problematikat e ngritura?
Referuar projektligjit, për shkak të mungesës së financimit të nevojshëm të mirëmbajtjes së infrastrukturës hekurudhore, objektivat të cilat synohen të arrihen nëpërmjet kësaj politike është realizimi i ndarjes së Hekurudhës Shqiptare Sh.A, sipas ndërmarrjeve, dhe kjo synohet të bëhet efektive brenda vitit 2024. Një tjetër objektiv i synuar është reduktimi i kostos së kalimit në infrastrukturë nga 315 lekë/ton në 290 lekë/ton brenda vitit 2028.
Por fokusi mbetet rritja e transportit të mallrave dhe të pasagjerëve në masën 50%, ose me 100.000 ton mallra dhe 30.000 udhëtarë, brenda dy viteve të para të ndarjes së ndërmarrjeve.
Ndërkohë, një tjetër objektiv i cili duhet të arrihet është dhe garantimi i besueshmërisë, efikasitetit dhe sigurisë së transportit hekurudhor, duke zbatuar teknologji të avancuar, protokolle rigoroze të mirëmbajtjes dhe masa gjithëpërfshirëse sigurie
Aktualisht në programin Buxhetor Afatmesëm 2025-2027, është parashikuar fondi 500,000,000 lekë për mbështetjen e Sektorit të Hekurudhës Shqiptare sh.a. që parashikohet të shpërndahet në dy shoqëritë e reja që dalin nga ristrukturimi. Nuk ka asnjë kosto shtesë për ambiente për ushtrimin e veprimtarisë së këtyre shoqërive që do krijohen nga ndarja dhe as për personel shtesë.
Ndërsa në ndikimet sociale, në një periudhë të afërt deri në 2030, parashikohet që të ketë një rritje të të ardhurave të sektorit hekurudhor dhe si rrjedhojë edhe trajtim financiar të mundshëm më të mirë për vetë punonjësit e sektorit./Scan