Kredia për blerjen e një banese është ajo që kërkohet më shumë nga qytetarët, por padyshim që edhe kredia konsumatore, pra ajo e përdorur për blerjen e mallrave të qëndrueshëm ose jo të qëndrueshëm, nuk mbetet shumë pas.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia për blerjen e mallrave jo të qëndrueshëm ka arritur në 46 miliardë lekë në fund të shtatorit. Kjo kredi e marrë nga qytetarët për mbulimin e shpenzimeve për ushqim, cigare, pije, karburant, produkte kozmetike, të pastrimit, veshje, apo këpucë, është rritur me gati 1.5% në krahasim me muajin paraardhës.

Nga ana tjetër, kredia për blerjen e mallrave të qëndrueshëm, të cilët në ndryshim me mallrat e përmendura më sipër, nuk konsumohen me një përdorim dhe kanë jetëgjatësi më të lartë, është regjistruar në 22 miliardë lekë në fund të nëntëmujorit. Blerja e makinave, elektroshtëpiakeve, mobiljeve, lodrave dhe të tjera, është mbuluar përmes kësaj kredie që në krahasim me muajin gusht, ka pësuar një rritje të vogël prej 1.3%.

Nga këto shifra, totali i kredisë konsumatore në lekë rezulton 68 miliardë lekë, një rritje prej 1.7% vlerësuar me gushtin. Nga 218 miliardë lekë që është e gjithë kredia e marrë nga individët në fund të muajit shtator, 134 miliardë është vetëm për blerje banese.

E thënë ndryshe, 61% e kredisë së marrë në lekë është përdorur për blerje banese nga individët, 21% e vlerës totale është blerj e mallrave të qëndrueshëm dhe jo të qëndrueshëm, 10% për blerje pajisjesh, 4% për overdraft dhe për qëllime të tjera./Scan