Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria po mendon një rritje të maturuar të pensioneve, në mënyrë që të miratohet një skemë e qëndrueshme.
“Një rritje e pamaturuar mund të bënte që në harkun kohor të 5-6 vite të çonte në kolaps të financave publike. Të çonte jo vetëm në përkeqësim të jetës së pensionistëve, por të të gjitha kushteve të ekonomisë së vendit, të cilat me shumë mund dhe hapa solidë jemi munduar ta konsolidojmë, për të ardhur sot dhe për të disktutuar për rritje pensionesh”, tha ajo në një intervistë në media.
Ndërsa qeveria po përllogarit me detaje skemën e re në lidhje me rritjen e pensioneve, opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj.
PD ka propozuar që çdo i moshuar, përfshirë ata që nuk kanë paguar asnjëherë sigurime, të ketë pension bazë sa minimum jetik 200 euro dhe, mbi këtë bazë, të gjithë pensionistët e tjerë do të kenë një rritje të pensioneve prej 20%.
Por, ministrja Ibrahimaj thotë se ky është një premtim elektoral, që kërcënon dhe vë në rrezik skemën e pensioneve.
“Është shumë e thjeshtë të bësh premtime, kur je në opozitë, sepse nuk ke asnjë përgjegjësi për mbajtjen e premtimeve. Që të rrisësh pensionin minimal në 200 mijë lekë dhe pastaj ta rrisësh 20% çdo vit, veçanërisht ky i dyti, është një premtim shumë i vështirë që të mbahet. 20% është shumë”, tha Ibrahimaj.
Ajo shprehet se kjo nuk është një skemë e qëndrueshme.
“Buxheti nuk është matematikë, por duhet llogaritur 200 mijë lekëshi, duhet llogaritur 20%-shi i rritjes, duhet llogaritur indeksimi dhe këtu skema e pensioneve fillon e shpërthen nga këto premtime, të cilat janë të pamatura. Pra, 20% rritje në vit e pensioneve dhe rritje edhe e bazës, do të çonte në një ngushtim të masave të pensioneve dhe mendoj që do të çonte në një shpërthim të skemës së pensioneve,” tha ajo.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit foli edhe për bonusin e fundvitit, për të cilin siguroi se do të jetë më i lartë dhe i përvitshëm.
“Bonusi po mendohet të rritet dhe të jetë një politikë për të gjitha vitet në vijim, dhe jo si një bonus që një vit jepet, një vit tjetër jo”, tha ministrja./ata