Në qytetin e Shkodrës deputetë të opozitës dhe qytetarë zhvilluan një marshim proteste, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në këtë qytet tri ditë më parë ku humbën jetën 3 persona nga një atentat.

Me pankartën “Qytetërimi është më i fortë se krimi! Po na vrasin, duhet reagim!”, protestuesit marshuan nga sheshi ku ndodhet godina e bashkisë së Shkodrës, në pedonalen “Kolë Idromeno”, e më pas në sheshin “Nënë Tereza”.

Protestuesit u ndalën në heshtje për pak minuta para institucionit të prefekturës.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka në një deklaratë për mediet nga Shkodra tha se “jemi këtu për të sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë kundër krimit të organizuar. Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies”.

“Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale. Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop. Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore. Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici. Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse”, theksoi Noka.

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi tha se “ngjarja dhe situata në Shkodër dëshmon atë që ne kemi kërkuar dhe e kemi thënë shpesh, domosdoshmëria për qeverinë teknike është reale dhe faktike. Sot Shkodra e kërkon, sot qytetarët e Shqipërisë e kërkojnë”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë qeveri teknike, liri për liderin e opozitës, pushim i luftës ndaj opozitës dhe kthimin e Shqipërisë për qytetarët, kthimin e Shkodrës te qytetarët.
Ne do vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënien tonë solidare me qytetarët, marrëdhënien tonë politike për t’i bindur ata se beteja e tyre është beteja jonë”, theksoi Boçi.

Ndërsa Bardh Spahia, ish-kryetar i bashkisë së Shkodrës, tha për mediet se “ngjarja ka shkaktuar një traumë për të gjithë qytetin, një shok për të gjithë opinionin publik”.

“Është e trishtueshme që opinioni publik shkodran jo vetëm gjendet nën thundrën e krimit të organizuar, por gjenden edhe pa mbështetjen e strukturave të shtetit, që na dalin të lidhura me krimin. Ka pasur një ngjarje të nderë, që ka ndikuar në situatën e qytetarëve”, tha Spahia.

Më 30 tetor në Shkodër 3 persona mbetën të vrarë, ndërsa një u plagos rëndë. Mes viktimave është dhe Flutura Basha një qytetare e pafajshme, ndërsa i plagosur rëndë mbeti bashkëshorti i saj./ata