Sot mbushen 35 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga komuna e Podujevës.
Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.
Fahri Fazliu, lindi në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.
Afrim Zhitia lindi në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg.
Kështu, më 2 nëntor, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Bregu i Diellit nga UDB-a serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bien heroikisht dy atdhetarët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe pranë varreve të heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Kryeministri Kurti tha se Zhitia e Fazliu, ishin veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e vendit.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se liria e Kosovës erdhi pasi vendi ynë kishte njerëz si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Ndërkaq, homazhe bënë edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
/KosovaPress/