Puna e rëndë në minierë si dhe konsumimi i duhanit për rreth 42 vite kanë qenë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në sëmundjen e mushkërisë por jo vetëm të 60 vjeçarit nga Kukësi Azem Qenanaj. Ish-minatori, tashmë në pension tregon për Report TV, se ishte vetëm 18 vjeç kur nisi cigaren për herë të parë, ndërsa prej 27 vitesh tashmë trajtohet nga një sërë sëmundjesh, për të cilat, mjekët i kanë thënë se përgjegjëse është më së shumti duhapirja.
“Kam 42 vite që pi cigaren. Vuaj nga mushkëria, diabeti dhe problemet me ecjen. Mjekët më kanë thënë që 70% e sëmundjeve si pasojë e pirjes së duahanit”, tha ai.
Duhani është armiku kryesor i shëndetit, dhe sipas specialistëve në përbërje të tij janë rreth 69 kimikate të ndryshme kancerogjene.
“Duhanpirja është një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë sepse duhet të kemi parasysh që duhani ka 7 mijë kimikate të ndryshme në tymin e tij, dhe 69 prej tyre janë kancerogjen të njohur. Duhani mund të shkaktoj kancer në gjithë organet e trupit, ku më kryesorin nuk diskutohet që është kanceri i mushkërive. Një person i cili pi duhan, në krahasim me atë që nuk pi ka rrezikshmëri 25 herë më të madhe që personi që pi duhan të shkaktoj kancer”, thotë Arben Tanka, mjek pneumolog.
Por cilët janë sëmundjet që shkakton duhanpirja?
“Duhanpirja jep kancer në mushkëri siç është spoku pulmonar, gjithashtu mund të acaroj astmën bronkiale dhe këta persona mund të rrezikojnë një invaliditet. Pra lodhet shumë kur ecën, por mund të përfundoj edhe me oksigjen në shtëpi. Sa i takon sëmundjeve të tjera që mund të shkaktoj duhani, kemi problemet kardiovaskulare, gjithashtu janë të rrezikuar nga stroku, goditja në tru. Problematika nga duhani kemi edhe për fertilitetin, problematika edhe tek gratë shtatzëna”, vjon mjeku.
Sipas tij duhani nuk kursen askënd, por tek të rinjtë pasojat janë akoma më të rënda.
“Një nga faktorët kryesorë që duhet thënë në rastet e fillimit të duhanit në moshë të vogël, atëherë edhe mushkëritë e këtyre personave mbeten të pazhvilluara normalisht, që do sjelli pasoja më vonë. Pirja e duhanit duhet thënë që është e varur nga numri i paketave në ditë dhe nga kohëzgjatja e tyre. Sa më shumë kohë të kemi pirë cigare dhe paketa, aq më shumë probleme kemi”, shprehet doktor Arben Tanka, mjek pneumolog:
Duhanpirja nuk dëmton vetëm shëndetin, por ndikon edhe tek buxheti i familjeve shqiptare, për trajtimin e sëmundjeve që sjell për pasojë. Sipas një studimi të kryer nga pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim me një grup studiuesish shkencor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 223 milionë lekë për të kuruar sëmundjet që shkaktohen nga konsumimi i duhanit./Shqiptarja