Një sherr i nisur në TikTok ka përfunduar ne përplasje me armë zjarri mes dy grupesh të rinjsh në qytetin e Dyrrësit. Policia bën me dije se për pasojë janë plagosur 2 persona ndërkohë që është arrestuar njëri nga dy bashkëautorët e ngjarjes.

 

Njoftimi nga policia

 

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Platforma”.

 

Falë veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 15.04.2023, në Durrës, ku për shkak të një konflikti në rrjete sociale, u plagosën lehtë, me armë zjarri, 2 shtetas.

 

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga njëri nga bashkautorët e dyshuar të këtij rasti, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.

 

Kërkimet vijojnë për kapjen e bashkautorit tjetër, të shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe operacionale, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 15 prill 2023, në Durrës, bazuar në provat e siguruara, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Platforma”.

 

Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim Sh. K., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”,

 

Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Platforma”, dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 15.04.2023, në lagjen nr. 10, Durrës, për shkak të një konflikti në rrjetin social TikTok, shtetasit Sh. K. dhe K. M. kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, shtetasit I. V., A. H. dhe M. V., të cilët qarkullonin së bashku, në një automjet. Nga të shtënat u plagosën lehtë shtetasit I. V. dhe A. H.

 

Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit K. M.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.