Bujqësia mbetet përsëri sektor i nënfinancuar. Shpenzimet për vitin 2025 janë planifikuar të rriten me vetëm 6.7 milionë euro, krahasuar me vitin aktual. Në total buxheti për këtë ministri është 146 milionë euro, ndërsa është në rënie financimi i huaj, pasi mungojnë fondet e IPARD.
Prej vitesh në rënie dhe me buxhet që nuk mjafton për nevojat e sektorit. E njëjtë është panorama për bujqësinë edhe për vitin 2025, me buxhetin që i është vënë në dispozicion.
Për vitin e ardhshëm buxheti për Ministrinë e Bujqësisë do të jetë 14.6 miliardë lekë, (146 mln euro), me rritje prej 673 milionë lekë (6.7 mln euro), krahasuar me vitin aktual.
Ky fond i vënë në dispozicion të sektorit me numrin më të madh të të punësuarve afro 459 mijë, dhe me ndikimin më të madh në ekonomi rreth 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, synon të mbështesë skemat për fermerët, ujitjen, kullimit, mbështetje për peshimin, si dhe shpenzime për paga e sigurime.
Për mbështetjen e zhvillimit rural për prodhimet bujqësore, blegtorale, agro-industrinë dhe markat janë planifikuar të shpenzohen 72 milionë euro, nga të cilat 15 milionë euro janë planifikuar si financim i huaj. Ndërsa buxheti i këtij viti për këto kategori është 68 milionë euro, ku financimi i huaj ishte 18 milionë euro.
Mbështetja e fermerëve me financim të huaj është në rënie prej më shumë se një vit, që kur u pezulluan fondet e BE-së, për të cilat ende nuk ka një datë për zhbllokim. Madje në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, theksohej që duhet të merren masa për të mbrojtur fondet e BE-së, si dhe të krijohen mekanizma për të garantuar efikasitet me fondet e IPARD.
Për sigurinë ushqimore do të shpenzohen 25 milionë euro, aq sa është edhe planifikimi për këtë vit, në rritje të lehtë është mbështetja për peshimin dhe menaxhimin e tokës bujqësore.
Më këto fonde të vëna në dispozicion Ministria e Bujqësisë thotë se synohet rritja e punësimit, e përpunimit të produkteve shqiptare, përmirësimi i cilësisë së tyre si dhe shtimi i përfituesve nga skemat kombëtare.
Për vitin 2025 pritshmëritë janë që eksportet bujqësore të arrijnë në 55.8 miliardë lekë ose afro 560 milionë euro.
FONDET PËR ZHVILLIMIN RURAL:
Viti 2024 68 mln euro
Financim i huaj 2024 18 mln euro
Viti 2025 72 mln euro
Financim i huaj 2025 15 mln euro
BUXHETI I MINISTRISË SË BUJQËSISË:
Viti 2024 13,930,500 mijë lekë
Viti 2025 14,603,848 mijë lekë
Diferenca +673,348 mijë lekë
/Shqiptarja