Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë eksperimente me obligimet që ka marrë nga marrëveshja e njohur franko-gjermane. Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të vonohet në implementimin e saj, meqë sipas tij, humbja e kohës do të thellonte pasojat që veçse ekzistojnë në Kosovë.
Kryetari i AAK-së, në një konferencë për media, ka kërkuar nga Kurti që të jetë serioz në këtë çështje.
“Situata është jashtëzakonisht serioze, qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë eksperimente me obligimet që ka marrë për të implementuar marrëveshjen e njohur si franko gjermane, por që është amerikane. Besoj se improvizimet në implementim do t’i thellojnë edhe më shumë pasojat që tashëm i ndjejmë si Kosovë, pra izolimin tonë, agjendën ndërkombëtare, po ashtu në planin e sigurisë do të shkaktojnë pasoja, e veçanërisht në gjendjen e krijuar në veri të vendit. Pra i bëjmë apel Kurtit dhe qeverisë, që të jenë serioz, të mos humbin kohë dhe të mos bëjnë eksperimentime por të veprojnë menjëherë me implementim të marrëveshjes në bazë të obligimeve që ka marrë Kosova”, ka thënë Haradinaj.
Ai i ka bërë thirrje të gjithëve që ta ndajnë vlerësimin për qeverisjen dhe për Kurtin nga obligimet që ka marrë Kosova në bazë të planit të njohur si franko-gjerman.
“Ne ndajmë qeverisjen Kurti, vlerësimin tonë për Kurtin, pra si mashtrues, e kemi mbajtur një qëndrim konsistent gjatë gjithë kohës vlerësimin tonë për qeverisjen Kurti, propozimin franko gjerman që është edhe amerikan ne e përkrahim… Pra u bëjmë thirrje të gjithëve në Kosovë që ta ndajmë vlerësimin për qeverisjen dhe për Kurtin nga obligimet që ka marrë Kosova në bazë të planit të njohur si franko gjerman që është amerikan”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për dy vjet të punës së Qeverisë Kurti.
“Jemi në dy vite të qeverisjes Kurti, sipas meje ishte luftë me të gjithë, por që përfundoi në luftë me vetveten, pra Kurti u shpalli luftë të gjithëve, si fillim u shpalli luftë kategorive të lirisë, duke mos i përkrahur me pagën minimale, u shpalli luftë të punësuarve në sektor publik duke mos u përkrahur me rritje pagash, u shpalli luftë të gjithë sipërmarrësve duke mbajtur peng buxheti ne Kosovës dhe duke ndalë investimet kapitale, të punësuarve në sektor privat, të papunëve, por e vazhdoi duke i shpallë luftë edhe komuniteteve etnike në Kosovë, e po ashtu aleatëve tonë. Rezultat i kësaj qeverisje, jo vetëm që është lodhur qytetari i vendit, por ka arrit t’i lodhë edhe aleatët tonë, edhe ata më besnik, më tradicional, pra ka arit t’i lodhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat për një vit nuk pranojnë zyrtar të kësaj qeverie në Uashington”, ka thënë Haradinaj. /KosovaPress/