Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se Komisioni Evropian është gati për të mbështetur planet ambicioze të Shqipërisë, teksa nënvizoi se është thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave
Në fjalën e tij në nisjen e edicionit të nëntë të Shkollës së Integrimit Europian, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Delegacionin e Bashkimit Europian dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”, Gonzato u shpreh se numri i aplikantëve ka tejkaluar vendet e vlefshme të shkollës duke treguar interesin e madh që ka për integrimin evropian në Shqipëri.
“Ju përfaqësoni sektorë të ndryshëm të shoqërisë nga shërbimi publik, qoftë në nivelin qendror dhe vendor dhe në fakt niveli vendor po bëhet gjithnjë e më thelbësor, ndërkohë që ecim përpara drejt anëtarësimit në BE, ku shumica e politikave, e rregulloreve nga “acqui”-të e BE-së u zbatua në nivelin lokal. Po kështu, ju përfaqësoni organizata jo fitimprurëse, sektorin privat, botën akademike dhe median. Por ajo që ju bën bashkë është që të gjithë keni një mundësi për të kontribuuar në mënyrë aktive nga pozicionet tuaja në integrimin e Shqipërisë në BE”, iu drejtua Gonzato pjesëmarrësve në Shkollën e Integrimit Evropian.
“Ashtu siç Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha dy javë më parë në vizitën e saj në Shqipëri me çeljen e fundit të grup-kapitullit të parë të “Themeloreve” në kuadër të anëtarësimit, perspektiva e anëtarësimit në BE tashmë është reale dhe gati për t’u kapur, është e prekshme”, tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato gjithashtu nënvizoi se, KE është gati për të mbështetur planet ambicioze të Shqipërisë.
“Na duhet të përfitojmë nga kjo mundësi, sepse në kontekstin gjeopolitik më shumë sesa kurrë, vendet e BE-së kuptojnë që duhet të kompletohemi, jo të zgjerohemi, por të kompletohemi që t’i japim fuqinë dhe kapacitetin për të vepruar BE-së. Kemi po kështu nevojë që të kompletojmë për të ndjekur ambicien tonë të autonomisë strategjike”, theksoi ai.
Gonzato u shpreh se, javën e kaluar KE gjithashtu miratoi Agjendën e Reformave për Planin e Rritjes së Shqipërisë.
“Ideja kryesore e këtij plani të rritjes është për të sjellë disa prej përfitimeve të anëtarësimit të BE-së qysh tani tek popujt e Ballkanit Perëndimor. Kjo përfshin mundësitë për të integruar më mirë ekonomitë e tyre me BE-në, të kihet akses në pjesë të tregut të përbashkët të BE-së dhe të ofrohen nivele të tjera të mbështetjes financiare me investime shtesë”, tha ai.
Gonzato nënvizoi se rruga tashmë është e qartë dhe duhet të jetë thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave.
“Nisja e negociatave për grup-kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga ana e BE-së dhe shteteve anëtare, sepse në fund të fundit, siç e dini, vendimi iu takon shteteve anëtare”, theksoi Gonzato, i cili shtoi se, “nuk ka kohë për të hezituar apo për t’u zvarritur, sepse standardi apo piketa për çdo vendim rregullator të marrë nga ky parlament, nga qeveria apo nga pushteti vendor duhet të jenë “acqui”-të e BE-së”, tha Gonzato.
“Paketa e zgjerimit e 2024-ës e KE-së, e miratuar në fillim të kësaj jave, ofron udhëzues të qartë për atë çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët, për këtë duhet udhëheqje e fortë dhe konsistente, mbështetje ndërpartiake e gjerë, një strukturë e konsoliduar dhe efiçente e negociatave, po kështu edhe mekanizma efikase konsultimi me aktorët e shoqërisë, duke qenë se flasim për një proces gjithë shoqëror”, u shpreh ai.
Gonzato nënvizoi se, Shqipërisë i duhet që të bëjë reforma jetike dhe të përfundojë transformimet ekonomike dhe politike duke sjellë të gjithë aktorët nga të gjitha anët e spektrit politik dhe nga shoqëria civile.
“Anëtarësimi në BE është më shumë sesa një proces teknik, është një zgjedhje breznie mbështetur në vlerat dhe parimet themelore të Unionit, që duhet në fakt reflektuar në politikën e jashtme e të brendshme të Shqipërisë qysh prej asaj që mësojnë fëmijët në shkollë”, tha Gonzato.
“Shqipëria është në një pozitë të favorshme. Duket yjet janë në vijën e duhur. Në Shqipëri shumica dërrmuese vazhdon të jetë mbështetëse e palëkundur e integrimit të vendit në BE. Dikush mund të thotë që mbështetja e Shqipërisë për BE-në këtu në vend është ndoshta më e lartë se edhe mes shteteve anëtare të BE-së. Kjo është e sigurt. Ky është një avantazh i jashtëzakonshëm dhe duhet të punojmë së bashku për ta ruajtur këtë nivel të lartë mbështetjeje vitet që vijnë”, shtoi më tej Gonzato./ata