Në ceremoninë hapëse të edicionit të nëntë të Shkollës së Integrimit Europian, deputeti Toni Gogu, në cilësinë edhe të zëvendëskryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri foli për rolin e reformave në procesin e integrimit me Bashkimin Europian.

“Të gjithë ne biem dakord për faktin se reformat kanë nevojë për guxim me gjithë kundërshtinë që i bëhet një prej reformave që ka mundësuar uljen e Shqipërisë në tryezën europiane dhe çeljen e negociatave. Ju mund të bini dakord me mua se çfarë guximi është dashur për një reformë të tillë, si Reforma në Drejtësi, që ne të mund të përjetojmë atë luftë kundër pandëshkueshmërisë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në jetën e shtetit tonë”, tha Gogu.

Ai tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të varet edhe nga puna e studentëve të kësaj Shkolle të Integrimit Europian, ndërkohë që kjo si qasje kërkon përpjekje dhe përballje me sfidat.

“Në momentin që vendosni të ndërtoni atë trekëndëshin, orët e gjata dhe të palodhura, njohuritë dhe vlerat duhet të jenë në qendër të jetës suaj. Ai debati konstruktiv duhet të jetë një nga ato vlera, sado të përpiqet njëra palë, në momentin që pala tjetër nuk ulet, ti ngec. Ushtrojeni vlerën e dialogut dhe të bërit kompromis, pa të nuk ecim dot përpara. Një nga vlerat që ne kemi sot është bashkëpunimi ndërinstitucional, si flasin ekspertët me njëri-tjetrin, si bashkëpunojnë ekipet ndërinstitucionale, në këto pak ditë mund të mësoni për sfidat teknike dhe administrative”, u shpreh Gogu.

“Viti 2030 nuk është larg, dhe ky është viti më i rëndësishëm për shqiptarët. Ta jetojmë çdo ditë me atë vit në mendje. Ky është viti që juve do të luani një rol të caktuar, sot jeni në këtë shkollë, por në 2030-ën do jeni ose në ndonjë ekip negociator, ose ndonjë vend drejtues në projektet me BE etj. Bashkëpunimi ndihmon në ndërtimin një platforme të përbashkët”, tha ai./ata