Prokuroria e Posaçme shpall pretencën për Talo Çelën, lidhur me megagrabitjen e 4.6 milione eurove në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, ngjarje e shënuar në muajin prill të vitit 2019.
SPAK kërkon dënimin e tij me 19 vite burgim. Pas leximit të pretencës, avokati i Talon Çelës kërkoi pak kohë të njihej me materialin e SPAK.
SPAK bën pjesë të fashikullit hetimor edhe bisedat e Talo Çelës në SKY ECC me anëtarët e tjerë të grupit. Avokati i tij ka kundërshtuar veprimin e prokurorisë së posaçme, pasi thotë se mund të jenë indicie jo prova.
Në SKY Talo Çela që po gjykohet në mungesë shprehte shqetësim se mund të gjendeshin prova për përfshirjen e tij në supergrabitjen dhe se në rast se i del emri do arratisej në Brazil ku do të ndërronte identitet.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri caktuan seancën gjyqësore në datë 21 nëntor ora 10.00, ku do shpallet vendimi lidhur me Çelën.
Ky i fundit është një nga personat më të shumëkërkuar në Shqipëri. Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.
Për ngjarjen e 2019, GJKKO dënoi në tetor të vitit të 2022 me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg. Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Si ndodhi grabitja e Rinasit?
Ishte data 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë arrestuar më 19 mars 2020, vetëm 1 vit pas grabitjes spektakolare të aeroportit të Rinasit. Për kapjen e Klement Çalës policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e trualle.
Të përfshirët në grabitje kishin studiuar lëvizjet e ngarkesave me euro që duhet të transportoheshin me avion jashtë Shqipërisë.
Në largim e sipër nga skena e krimit, Murataj u vra, ndërkohë që policia gjeti të djegur automjetin e arratisë. Ngjarja e denjë për film u zbërthye nga Alkond Bengasi që rrëfeu rolin e secilit./Shqiptarja