Pas takimit me shqiptarët e Selanikut në Greqi, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për shtyp për mediat vendase, me fokus çështjen e pronave në Himarë, minoritetin grek në Shqipëri dhe çështja e Fredit Beleri.

"Para së gjithash, besoj se ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë  për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë. Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk  bazohen në fakte.Kjo është thjesht propagandë”, është shprehur kryeministri Rama lidhur me pyetjet për pronat në bashkinë e Himarës.

Ndër të tjera, ai nënvizoi se pritet një marrëveshje mes kadastrës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë që po përparon në dixhitalizimin e kadastrës së saj  dhe shkëmbimi i përvojës do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për palën shqiptare.

Ndërsa për minoritetin grek në Shqipëri, Rama tha se ai është konsideruar gjithmonë si një urë lidhëse shumë e rëndësishme mes Athinës dhe Tiranës.

I pyetur për eurodeputetin Fredi Beleri, Edi Rama ka theksuar se ka një këndvështrim që ndryshon nga ai i Greqisë.

"Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim. Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq.Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën”,- u shpreh ai.

Për më tepër, numri një i qeverisë shqiptare tha se ndjen keqardhje që një çështje e tillë të shndërrohej në problem mes dy vendeve,

Mbi të gjitha, Rama përsëriti vlerësimin e tij për kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, të cilin e quajti një lider shumë moder, inteligjent dhe politikan të zotin, me të cilin tha se bashkëpunon mjaft mire pavarësisht se iperket një kahu tjetër politik.

“Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti.Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq.Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë”, ka deklaruar Rama.

Në fund të konferencës për mediat greke, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se është shumë e rëndësishme për dy vendet që kjo marrëdhënie të bëhet më e forte,  duke përsëritur se Greqia ka qenë gjithmonë mbështetëse e integrimit europian të Shqipërisë./Shqiptarja