Projektbuxheti 2025 për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore adreson një fond prej 89.9 miliardë lekë shpenzime, me një rritje 13.2% krahasuar me buxhetin e vitit 2024.
Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë prezantimit të pr/buxhetit 2025 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, tha se “shpenzimet për këtë sektor në vitin 2025, zënë rreth 3.43% të PBB-së nga 2.9% që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3% në vitin 2015”.
Malaj vuri në dukje se, decentralizimi fiskal dhe rritja e autonomisë së pushtetit vendor ka ecur me ritme të kënaqshme dhe të qëndrueshme gjatë viteve të fundit.
“Të ardhurat e veta të pushtetit vendor nga viti 2015 dhe në vijim kanë pësuar rritje të ndjeshme, me rreth 20 miliard lekë dhe për vitin 2025 parashikohet të rriten me rreth 3.6 miliard lekë, ose 10% më shumë. Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025, do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3% krahasuar me një vit më parë”, tha ministri.
Ai theksoi se, në buxhetin e vitit 2025 do të vijojë mbështetja buxhetore për rritjen e nivelit të pagave të të gjithë punonjësve të administratës vendore.
“Për funksionet e decentralizuara në vitin 2016, rritja do të përballohet nga rritja e transfertës së pakushtëzuar sektoriale në vlerën 1.4 miliard lekë, ndërkohë për të mbuluar efektin financiar shtesë për rritjen e kufirit minimal të nivelit të pagave, do të akordohet një fond shtesë në shumën 3.5 miliardë lekë.
Gjithashtu, në portofolin e buxhetit vendor për vitin 2025, do të jenë dhe 2.2 miliardë lekë si transfertë e kushtëzuar për emergjencat civile ku nga këto 200 milionë lekë jepen për investime dhe rikonstruksione për rritjen e sigurisë e digave të ujëmbledhësve”, u shpreh Malaj.
Ai deklaroi se, reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor.
Malaj bëri të ditur se, në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë, e cila është rritur dhe vijon të rritet nga viti në vit dhe në vitet e ardhshme do të jetë burimi kryesor i të ardhurave vendore./ata