Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat për Anadolu tha se zgjerimi i marrëveshjes aktuale të tregtisë së lirë ndërmjet Türkiyes dhe Britanisë së Madhe do të zgjerojë qasjen për produktet bujqësore turke në tregun britanik.
Marrëveshja e tregtisë së lirë Türkiye-Britani hyri në fuqi në vitin 2021 për të mbrojtur flukset tregtare dhe zinxhirët e furnizimit pas Brexit-it. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe sekretari i Jashtëm britanik David Lammy u takuan në Londër për të diskutuar rinovimin e marrëveshjes dhe çështje të tjera.
Përpjekjet filluan në vitin 2022 për të zgjeruar marrëveshjen për të përfshirë investime dhe koncesione shtesë bujqësore për të krijuar një bazë ligjore më të fortë për biznesmenët nga të dy vendet.
Bolat tha se marrëveshja ekzistuese kontribuoi ndjeshëm në vazhdimin e pandërprerë të aktiviteteve tregtare midis Türkiyes dhe Britanisë, duke shtuar se ajo u mundësoi biznesmenëve të të dy vendeve të mbrojnë kushtet tregtare dhe të zvogëlojnë pasigurinë.
"Me zbatimin e paktit në vitin 2021, një rritje prej gati 15 për qind nga viti në vit u pa në tregtinë midis Türkiyes dhe Britanisë dhe ky nivel i vëllimit tregtar u ruajt", tha ai, duke shtuar:
"Për eksportuesit turq, marrëveshja e tregtisë së lirë ofron garanci të rëndësishme për të ruajtur shtrirjen e tyre në treg dhe vazhdimi i tregtisë dypalëshe nëpërmjet marrëveshjes i ndihmoi biznesmenët në Türkiye të mbajnë investimet e tyre në Britani të bazuara në një bazë më të sigurt, të përgatitur kundër rreziqeve të mundshme".
Bolat tha se marrëveshja e zgjeruar do të ndihmojë kompanitë turke të gjejnë mjedise më të sigurta teksa investojnë në Britani dhe të krijojnë kuadër ligjor më të fortë për investimet e ndërsjella.
Ai tha se bashkëpunimi afatgjatë midis Türkiyes dhe Britanisë do të inkurajohet në kapitullin e zgjeruar të marrëveshjes sa i përket investimeve dhe përfshirja e sektorit të shërbimeve ku Türkiye është konkurruese, që sipas ministrit, do të jetë e rëndësishme për të rritur potencialin e bashkëpunimit, veçanërisht në turizmin shëndetësor, financat dhe inxhinierinë, ndërsa zhvillimi i modeleve të reja të biznesit do të sigurojë përfitim reciprok për të dy vendet.
"Përfshirja e kompanive turke në këta sektorë konkurrues do të bëjë që ato të kenë prani më efektive në tregun e Britanisë", tha Bolat, duke shtuar:
"Zgjerimi i marrëveshjes do të çojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Türkiyes dhe Britanisë në një nivel më të avancuar, bazuar në përfitime të qëndrueshme dhe të ndërsjella në afat të gjatë"./aa