Partia e Lirisë ka shpallur bujqësinë dhe ushqimin si një nga pesë prioritetet kryesore dhe ka paraqitur një program për mbështetjen e fermerëve shqiptarë.
Ky program, sipas kryetares së Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, përfshin një sërë masash financiare dhe lehtësi fiskale për të rritur prodhimin dhe për të përmirësuar gjendjen e bujqësisë në Shqipëri.
Sipas Bajramit, do të alokohen 30 miliardë lekë çdo vit për bujqësinë dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim.
Bajrami tha se do të pesëfishohen pagesat për bagëtitë e imta, nga 12 euro, në 60 euro.
“Financimi i fermave blegtorale do të jetë me 200 euro, për krerë lope dhe pragu i përfitimit do të ulet në 3 krerë nga 10 qe është aktualisht, si dhe në 20 krerë nga 100 qe është aktualisht për tufat e imta. Do te realizohet subvencionim i prodhimit bujqësor për njësi te prodhimit, të sipërfaqes dhe për numër krerësh. Reduktimin e barrës tatimore dhe fiskale për prodhimin bujqësore në 5 %”- tha Bajrami
Më tej Bajrami shtoi se do të ketë 0 TVSH për plehra kimike dhe inputet bujqësore si dhe do të jepen kredi të buta për infrastrukturë, sera, stalla dhe për industrinë agropërpunuese.
Bajrami tha se Partia e Lirisë është inspiruar nga modeli i Maqedonisë së Veriut, ku buxheti për bujqësinë është 170 milionë euro dhe përfiton 100 milionë euro nga fondet IPARD, në një total prej 270 milionë eurosh.
“Kurse në Shqipërinë tonë buxheti i shtetit është 32 milion Euro, IPARD 0 pra totali 32 milionë euro!”- tha Bajrami./ata