Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) gjatë periudhës janar-shtator 2024 ka realizuar 226 253 analiza për të garantuar sigurinë ushqimore, shëndetin e bimëve dhe kafshëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale të dhëna për numrin e analizave të kryera nga ISUV, për periudhën 9-mujore të këtij viti, ku shihet se numri i analizave me bazë vjetore është rritur me mbi 208 mijë analiza.

Në laboratorët e ISUV ekspertët analizojnë kampionë të ushqimeve për treguesit mikrobiologjikë, duke garantuar cilësi dhe siguri për produktet që arrijnë në tryeza.

“Gjatë periudhës janar – shtator 2024, ISUV ka kryer 226 253 analiza kundrejt 18 809 analizave që ka kryer në të njëjtën periudhë një vit më parë”, tha Denaj.

“Përmes analizave dhe kontrolleve të vazhdueshme, garantohet cilësia dhe siguria për produktet ushqimore, mbrojtja e bimëve dhe shëndeti i kafshëve, duke siguruar që çdo produkt që arrin tek konsumatori të plotësojë standardet më të larta të sigurisë”, deklaroi Denaj./ata