Deputetët e mazhorancës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave propozuan trajtimin me pagë minimale për njërin nga prindërit e fëmijëve të cilët janë të prekur në shkallë të rëndë nga spektri autik apo nga sindroma “down”.

Në seancën dëgjimore me ministrin e Financave, Petrit Malaj në Komision, për propozimin e politikave të reja fiskale për vitin 2025, ku të pranishëm janë edhe deputetët e opozitës, deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti kërkoi nga ekspertët e MF-së kryerjen e një analize mbi koston e kësaj nisme.

Ndërsa deputetja Pranvera Resulaj, tha se kjo ka qenë një kerkesë e herëpashershme nga prindër të fëmijëve të prekur nga autizmi, apo sindroma “down”, ndërsa sugjeroi që brenda kësaj skeme të futen edhe familjet me fëmijë të prekur në shëndetin mendor.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e cilësoi këtë propozim si elektoral, pasi sipas saj, kjo mazhorancë kishte mundësinë të ndërmerrte këtë politikë të propozuar prej opozitës prej vitesh./ata