Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi sot zyrat e OSHEE-së, ku tashmë ka nisur nga puna shërbimi call center, i cili është 24 orë në dispozicion të qytetarëve.
Balluku ftoi qytetarët t’i drejtohen këtij shërbimi për të marrë çdo informacion që iu nevojitet, për të bërë një kërkesë, për të adresuar një ankesë, ose për të raportuar mungesën e energjisë.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaqi informoi se kur ka fluks të lartë ankesash, çdo telefonatë regjistrohet, për t’u kontaktuar dhe marrë shqetësimi i tij më pas.
Regjistrimi i çdo telefonate, theksoi zv/kryeministrja, i jep siguri qytetarit që do të marrë shërbimin e nevojshëm, ndërsa operatorët do të duhet të përgjigjen, pasi do të jenë nën monitorim.
Zv/kryeministrja Balluku, njëkohësisht bëri të ditur se nuk ka rritje të çmimit të bukës ndryshe nga sa u paralajmërua në medie.
“Administrata Tatimore është në terren në të gjithë vendin dhe deri tani nuk është vërejtur rritje e çmimit të bukës”, deklaroi Balluku.
Sipas saj, për furrat e bukës qeveria subvencionon çmimin e energjisë dhe këto njësi paguajnë vetëm 7.6 lekë për kilovatorë./ata