Deputeti opozitar, Arbi Agalliu deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2025 nuk ka prioritete të qarta se kush sektor është në qendër të vëmendjes së qeverisë për t’u zhvilluar.

Në fjalën e tij në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Agalliu tha se mungesa e këtij vizioni vë në vështirësi edhe strukturat e Ministrisë së Financave për të hartuar buxhetin.

“Shikoj shumë pak mbështetje nga buxheti për sektorin e bujqësisë, duke llogaritur këtu edhe problemet që ka pasur ky sektor me fondet e Bashkimit Europian”, tha Agalliu.

Sipas tij, vetëm 0.6 % e PBB-së shkon në mbështetje të këtij sektori, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve janë të vetëpunësuar në bujqësi.

“Nëse ecim me logjikën e qeverisë se turizmi është prioritet, atëherë bujqësia shkon paralelisht me të. Nëse pretendojmë të rrisim numrin e turistëve, ta bëjmë Shqipërinë vend atraksion, bujqësia duhet të jetë sektor që ecën paralelisht me zhvillimin e turizmit”, u shpreh Agalliu.

Njëkohësisht Agalliu kërkoi edhe rritjen e fondeve në dispozicion të  ish-të përndjekurve.

“Jemi në nivelin 0.05 % e PBB-së. Është një plagë e kësaj qeverie që do të duhej të ishte mbyllur prej kohësh nga qeveria e PD-së“, u shpreh deputeti Agalliu.

Deputeti opozitar po ashtu foli për pamjaftueshmëri fondesh sa i takon kompensimit të ish-pronarëve, ndihmën ekonomike apo edhe pagesën për aftësinë e kufizuar.

Ai kërkoi edhe një reformim të administratës publike, pasi sipas tij, ka mbingarkesë në aparaturën shtetërore duke mos qenë produktive./ata