Hekurudha Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, hekurudha Vorë - Hani i Hotit, Durrës – Rrogozhinë, Rrogozhinë-Vlorë, Aeroport i Vlorës - Qendër e qytetit dhe më gjerë, apo studimi për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Shkodër-Gjakovë, janë projektet më të mëdha hekurudhore në Shqipëri.
Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, shpjegoi sa miliardë lekë do t'i kushtohet transportit hekurudhor nga buxheti për vitin 2025.
“Ky program ka një buxhet total në vlerën 6 miliardë lekë, me një rritje prej 802.7 milionë lekësh ose 15.2% krahasuar me ligjin e buxhetit të vitit 2024. Gjithashtu, pjesë e këtij buxheti është studimi për lidhjen e vijës hekurudhore të Aeroportit të Vlorës me linjën ekzistuese, pra me transportin hekurudhor që vjen nga Fieri dhe studimi për linjën hekurudhore Rrogozhinë-Vlorë, ashtu siç është edhe në rastin e hekurudhës Shqipëri-Kosovë, pra Tiranë-Shkodër-Gjakovë, që konsiderohet një projekt kombëtar. Qeveria shqiptare tashmë punon intensivisht për ngritjen, rimëkëmbjen e këtij sektori. Kështu që sot ne po avancojmë me një nga projektet më të rëndësishme që është ai që lidh Tiranën me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas me Durrësin dhe Portin e Durrësit. Jemi në një ecuri të kënaqshme, mbi 78% të këtij projekti është realizuar.”
Gjatë fjalës së saj, Balluku u ndal në moderinizmin e sistemit hekurudhor.
“Një komponent mjaft i rëndësishëm në kuadër të modernizimit të rrjetit hekurudhor shqiptar është dhe komponenti i elektrifikimit, pasi nuk do të kemi më trena të cilat furnizohen me qymyr, siç janë lokomotivat ekzistuese, por të gjitha linjat e reja që do të ndërtohen, apo rehabilitohen, do të shoqërohen me linjën e tensionit, pra me linjën elektrike që do të jetë dhe furnizuesi kryesor dhe i vetëm i trenave që do të operojnë në Republikën e Shqipërisë.”
Rigjallërimi i hekurudhës shqiptare është një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që pritet të sjellë shumë përfitime dhe lehtësira për qytetarët dhe zhvillimin e ekonomisë në tërësi./Scan