Qeveria parashikon të mbledhë afro 20 milionë euro shtesë nga taksa e pasurisë në vitin 2025.
Gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deputetët kanë ngritur pyetjen se nga do të gjenerohen këto para dhe kur do të jetë gati kadastra fiskale.
Ministri i Financave është shprehur se nga Qershori 2025, kadastra fiskale e cila do të shërbejë për mbledhjen e taksës së pasurisë do të jetë tërësisht funksionale.
“Sa i takon kadastrës fiskale, është në proces, po asistohemi nga agjencia suedeze SIDA, kadastra do jetë fiskale nga muaji qershor 2025, është duke u populluar me të dhënat e azhurnuara nga dhe sapo të popullohet do të jetë gati të përdoret nga njësitë e vetëqeverisjes vendore”.
Ministri u shpreh se të ardhurat për vitin 2025 parashikohet të rriten në masën 40.6 miliardë lekë.
“Tre janë faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e të ardhurave 2025, kuadri makroekonomik ku është paraqitur rritja e PBB me 3.9 për qind, faktori i dytë janë të ardhurat nga pagat dhe kontributet dhe efekti i politikave të mëparshme tatimore, faktori i tretë janë të ardhurat nga administrimi dhe nga zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave. Për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale që do të gjenerojë të ardhura shtesë dhe për herë të parë përmirësimi i të ardhurave vjen nga administrimi dhe ulja e infomalitetit dhe jo masave të reja fiskale”.
Deputetët kanë kërkuar që të shtohet buxheti dhe të akomodohet rritja e pensioneve, duke propozuar një rtritje me të paktën 25 për qind./Scan