2100 ish-ushtarakë, apo civilë do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e rezervistëve të ushtrisë shqiptare. Projektligji i miratuar nga Këshilli i MInistrave tashmë ndodhet në Kuvend dhe parashikon që kostoja fillestare e aktivizimit të rezervistëve të jetë 1.5 miliardë lekë ndërsa kosto mesatare e mobilizimit për një afat 40 ditor mobilizim në vit të jetë 826 milionë lekë.
Por cilat duhet të jenë kushtet që dikush duhet të plotësojë për të qenë pjesë e forcave rezerviste të ushtrisë shqiptare?
Referuar projektligjit kriteret janë që të jetë shtetas shqiptar, të mos jetë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi si dhe të jetë I moshës deri 50 vjeç për ushtar, deri 55 vjeç për nënoficer dhe deri 60 vjeç për oficer.
Ish-ushtarakët që kanë qenë më parë pjesë e forcave të armatosura, të cilët bëhen pjesë e forcës rezerviste, do të marrin gradën që kanë pasur më parë. Ndërkohë, ata që nuk kanë shërbyer më herët në ushtri, do të marrin gradën e parë ushtarake.
Ushtarakët, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë dalë në rezervë sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe shtetasit civilë, të cilët plotësojnë kriteret e pranimit të shërbimit ushtarak në rezervë, pranohen nëpërmjet procedurës së rekrutimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë, me kohëzgjatje jo më pak se 2 vjet, me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.
Në total, Shqipëria ka 8 500 forca aktive./Scan