Baza ajrore e helikopterëve në Farkë pranë Tiranës pritet të modernizohet. Ministria e Mbrojtjes ka hapur tenderin për ndërtimin e kuadrateve kryesore dhe drejtimet e ngritjes dhe uljes, rrugët lidhëse, sheshet e parkimit të helikopterëve, si dhe sistemin e ndriçimit. Fondi limit është rreth 706,4 milionë lekë dhe punimet pritet të zgjasin për një periudhë prej 1 viti.

Baza ajrore eshte e vendosur në territorin e Bashkisë Tiranë, ndërsa procesi topografik është kryer mbi bazën e kërkesave teknike të përgjithshme dhe specifike të parashikuara dhe konsiston në rilevimin e zonës ku ndodhet objekti.

Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin e sektorin e mbrojtjes, ku për herë të parë këtë vit janë akorduar fonde që arrijnë nivelin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projeksionet janë që kjo rritje të jetë e përvitshme, ku brenda 10 vitesh synohet të arrihet niveli 2.8 % i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Investimet janë në disa drejtime; në rinovimin e bazave ushtarake, ndërtimin e bazave të reja, investime në teknologji dhe sidomos investime të forca njerëzore.

Plani është që brenda pak vitesh Shqipëria të ketë një ushtri dhe sistem mbrojtje të ngjashëm me atë të NATO-s dhe që i përgjigjet çdo sfide që mund të paraqitet për sigurinë kombëtare të vendit tonë.

Referuar projektbuxhetit, vetëm për vitin e ardhshëm për kompletimin e forcave ajrore me helikopter UH-60 “Blackhawk”, është planifikuar një fond prej 570 milionë lekë./Tema