Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë që kërkonin shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcaktonte çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për bashkinë Tiranë.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, bëri të ditur sot vendimin në një komunikim për mediet.
Pala kërkuese pretendonte se parashikimet e kësaj VKM-je që kanë rritur në masë të konsiderueshme dhe joproporcionale vlerën e taksës së ndërtesës, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës private, parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit si dhe rezervën ligjore.
Zaçaj theksoi se fillimisht Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pretendimet e paraqitura ishin me natyrë kushtetuese, prandaj i shqyrtoi ato në themel.
“Gjykata shqyrtoi fillimisht pretendimet për cenimin e parimit të sigurisë juridike dhe vërejti se argumentet e sjella nga kërkuesja në thelb nuk kishin të bënin me çmimet e referencës të parashikuara nga VKM-ja nr. 457/2023, objekt i gjykimit kushtetues, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave të cilat kanë çmimin e references të ndërtesës, si element përbërës të formulës apo metologjisë së përllogaritjes së tyre”, u shpreh Zaçaj.
Në këtë këndvështrim, Zaçaj tha se “Gjykata vë në dukje se formula e përllogaritjes së taksave e cila rezulton të jetë e parashikuar në ligjin për taksat vendore të vitit 2006, ndryshuar në vitin 2017 dhe e detajuar në VKM-në e vitit 2018 nuk është objekt shqyrtimi në këtë gjykim kushtetues”.
Ndërkohë, Zaçaj theksoi se “pala kërkuese nuk arriti të provonte dhe argumentonte as në kërkesën fillestare dhe as gjatë gjykimit në seancën plenare, se pse çmimet e reja të referencës në vetvete cenojnë parimet kushtetuese të pretenduara”.
“Duke pasur parasysh se edhe për pretendimet e tjera për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, pala kërkuese ka paraqitur të njëjtat argumente, të cilat në thelb nuk kishin të bënin me çmimin e referencës, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave, Gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk mund të merren në shqyrtim”, shtoi Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese bëri të ditur po ashtu se “Gjykata vlerësoi se nuk cenon parimin e sigurisë juridike në drejtim të paqartësisë së normës, pasi dispozita është e qartë në formulimin e saj, sepse i referehet normës 0,2 % indeksim për ndërtimet e reja, për ambiente jobanimi, për një periudhë 5–vjeçare në raport me ambientet e banimit”.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e vlerësoi të pabazuar edhe pretendimin për cenimin e rezervës ligjore për shkak të mungesës së delegimit me ligj./ata