Ura e Madhe e Kukësit është hapur tashmë për qarkullimin e automjeteve, si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore që çliron përfundimisht qarkullimin duke aksesuar edhe komunitetet përreth.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa pamje ajrore nga kjo urë, e cila bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra.

Ura sjell edhe një arkitekturë të veçantë për nga përmasa inxhinierike dhe estetike, për të gjithë udhëtarët.

E projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur italian Giorgio Rizzo, kjo urë i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare, duke zëvendësuar urën e vjetër ekzistuese dhe lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në atë zonë.

Ura ka 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës./ata