Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), Ardian Bali, ka prezantuar në Komisionin e Sigurisë projektbuxhetin për vitin 2025.

Bali tha në fjalën e tij se vitin 2025 kërkesat buxhetore të agjencisë janë në vlerën 825 milionë e 175 mijë lekë, ndërsa pritshmëritë për financim për vitin 2025 janë në vlerën 750 milionë lekë.

“Pjesa e mbetur e pabuxhetuar do të sistemohet gjatë vitit 2025”- tha Bali.

Bali prezantoi edhe 8 projektet të cilat ka në proces AISM, dhe pritet të finalizojë gjatë vitit 2025. Sipas Balit nga 8 projekte 5 prej tyre janë të mirëfillta në drejtim të grumbullimit të informacionit.

“Modernizimin e sistemeve në interes të rritjes së produkteve të inteligjencës; Blerje pajisje dhe rrjetit të klasifikuar të AISM-së; Aktivizimi dhe vendosja në eficiencë operacionale të sistemit të grumbullimit, menaxhimit dhe analizimit të informacionit të linjës informative; Pajisje dhe softe për përmirësimin e sistemit të sigurisë në AISM, faza e dytë; Pajisje me mjete të teknikës operative; Përfundimi i ndërtimit të zyrës së grumbullimit të informacionit në Korçë; Rikonstruksione për mirëmbajtjen e në garnizonin Farkë e Vogël; Ndërtimi i parkut të mbyllur për automjetet e AISM”- tha Bali.

Bardhyl Kollçaku, në rolin e relatorit tha se ky buxhet është pjesë e Buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2025-2027.

“Mban parasysh të gjitha politikat e pagave dhe të modernizmit që parashikohet në strategjinë e Mbrojtjes. Me buxhetin e alokuar, do të realizojmë detyrat dhe në kohë do të plotësojë misionin që ka kjo agjenci.  Ka një realizim të kënaqshëm të buxhetit të alokuar. Jam i sigurt që me buxhetin e alokuar agjencia do ti realizojë detyrat dhe misioni”- tha Kollçaku./ata