Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, në një status në rrjetet sociale, ka ironizuar nisjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste ditën e djeshme.

 

Sula ka publikuar shifrat e Zyrës së Statistikave të Emigracionit të Mbretërisë së Bashkuar dhe thotë se 16 mijë të rinj braktisën Shqipërinë vetëm vitin e kaluar për të kaluar me gomone në Britani.

 

Teksa thekson se 72% e aplikantëve ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç, Sula me ironi thotë se mazhoranca i zëvendësoi qytetarët në fushatë me pemë.

 

“Përgjigja se përse mazhoranca zëvendësoi qytetarët me pemë dje në fushatë.

 

16 mijë të rinj braktisën Shqipërinë vetëm vitin e kaluar për për të kaluar me gomone në Britani. Theksoj se këta 16 mijë janë vetëm ata të cilët janë paraqitur në një nga kapet e refugjatëve atje për të kërkuar azil. Shifrat janë zyrtare nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar.

 

Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm. Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar).

 

Edhe më tragjike e bën situatën fakti se 72% e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç. Përkatësisht gati 58% e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-n i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç.

 

Qeveria u kujtua vonë të rris pagat në Shqipëri. U kujtua ta bënte këtë kur pa që edhe emigrantët nga Siria, Pakistani apo vende të tjera të treta nuk qëndronin në Shqipëri. Provonin 3 muaj dhe më pas largoheshin. Por tani është vonë.

 

Është vonë dhe këtë e kuptoi edhe vet mazhoranca pasi qytetarët në fushatë i zëvendësoi dje me pemë. Në mungesë të njerëzve dje në fushatë mori pemë”-shkruan Sula.