Në Shkodër është hapur një tjetër kantier i rëndësishëm investimesh, ai për rilindjen e zonës historike 300-vjeçare të Zdrales.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga punimet në këtë kantier, ku puna ka nisur nga rruga “Hamz Kazazi” për lotin e parë të këtij investimi.

Kryeministri shprehu bindjen se ky investim që do ta shndërrojë këtë zonë në një pol të rëndësishëm ekonomik dhe turistik për qytetin verior.

Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar.

Investimi në këtë zonë vjen si nevojë e një transformimi të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që kjo zonë mbart ndër vite./ata