Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se në muajin shtator 2024, numri i të punësuarve arriti në 731 465 persona.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2025, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Malaj tha se ky nivel punësimi flet për një punë të mirë në drejtim të uljes së informalitetit.

Ndërkohë, theksoi ai, numri i vendeve të punës në dispozicion është 741 597.

“Për herë të parë numri i kontribuesve në nivel drejtorie rajonale arriti në 731 465 persona dhe numri i vendeve të punës arriti në 741 597 persona, tregues këto që tregojnë punën e madhe që është bërë për uljen e informalitetit në tregun e punës”, tha Malaj.

Të ardhurat gjithsej nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore janë programuar të jenë rreth 169 miliardë lekë në vitin 2025, me në rritje krahasuar me vitin 2024 prej 10.53 miliardë lekë, ose 6.6%.

Në 2025, këto të ardhura arrijnë në 6.5% e PPB.

Kjo rritje e të ardhurave nga kontributet do të vijë nga rritja ekonomike e projektuar me efekt në punësim dhe kontribute, vlerësuar në shumën 4.3 miliardë lekë, sikurse është efekt nga rritja e pagave dhe kontributeve si rezultat i zbatimit të reformës së pagave në administratë, vlerësuar në 4.3 miliardë lekë.

Po ashtu ndikim pritet të japë edhe forcimi i kontrollit të punës në të zezë, nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet vlerësuar me 1 miliard lekë, dhe të ardhurat nga mirëadministrimi dhe efektet e draftstrategjisë Afatmesme të të Ardhurave për vitin 2025, vlerësuar me 0.9 miliard lekë./ata