Njerëzit e thjeshtë dhe fryma e tyre ndër dejet e Vjosës është ajo çka përcjell Jutta Benzenberg Klosi me projektin e saj të radhës, ekspozuar në mjediset e Piramidës së Tiranës.

Mbi ftohtësinë që tejçojnë muret e betonta, vijnë portrete të relaksuara, që duket se artistja nuk i ka dirigjuar të pozojnë, por thjesht ka huazuar imazhin e tyre, ashtu siç ai shpërfaqet në çdo ditë të jetës.

Projekti “Fryma e Vjosës” mbështetur nga Patagonia, e dërgoi Jutta-n për 1 muaj të punonte në Parkun Kombëtar të Vjosës, këtij lumi që megjithëse i egër, është “burim fryme”.

“Është e rrallë që njerëzit të jetojnë e punojnë në parqe të mbrojtura dhe prandaj ky park duhet parë duke u kujdesur jo vetëm për natyrën por edhe për njerëzit”, thotë fotografja Jutta Benzenberg. Ajo mban mend emrat, madje edhe detaje të temperamentit të tyre, i cili perceptohet edhe nga fotografitë dhe Jutta kënaqet që kjo është e dukshme edhe për sytë tanë si një publik që prezantohet rishtazi me ta. Fotografia e djalit që mban butësisht një mace, është epitomë e ndjeshmërisë dhe lidhjes që ekziston mes njerëzve, kafshëve dhe natyrës së këtij vendi.

Aktorët e Jutta-s janë njerëz që jetojnë në Vjosë dhe me Vjosën. Disa i gëzohen ajrit të mrekullueshëm, dikush bimëve medicinale, e të tjerë rrojnë përmes turizmit të këtyre anëve. Pavarësisht mundësive apo asaj çfarë bëjnë për të jetuar, këta njerëz e shohin jetën e tyre, tani e në vazhdim, të lidhur pandashmërisht me Vjosën.

Rrëfimet e tyre, poshtë çdo fotografie, janë autentike dhe siç shprehet Jutta Benzenberg, vetëm fotot janë të sajat. Ajo ngazëllehet që dalloj një lloj misticizmi në fotot e saj, gjë që nuk e perceptoj në përditshmëri. Por Jutta thotë se pikërisht kjo i pëlqen nga Shqipëria dhe se këtë misticizëm ajo e gjen gjithkund tek ne.

“Fryma e Vjosës” do të jetë e ekspozuar në hollin e Piramidës, deri më 12 nëntor dhe gjithkush mund të hyjë falas për të shijuar pak nga ndjesitë e Vjosës./ata